Telegrafi

Shkarkohet nga pozita e anëtarit të Bordit në SHSKUK, kirurgu i dyshuar për ryshfet në Vushtrri

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se në mbledhjen e saj të 120-të ka marrë vendim për shkarkimin e anëtarit të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Dr. Isuf Zekaj.

Ndërkaq, para disa ditësh Gjykata Themelore – Departamenti i Krimeve të Rënda në Mitrovicë, e ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj Isuf Zekajt, njërit nga kirurgët që akuzohet për marrje të parave për trajtimin e pacientëve në Spitalin e komunës së Vushtrrisë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë avokati i Zekajt, Mahmut Halimi, i cili tha se Gjykata Themelore e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit.

“Pas seancës së mbajtur në Gjykatën Themelore-Departamenti i Krimeve të Rënda në Mitrovicë, në çështjen kundër Dr.Isuf Zekaj, u refuzua kërkesa për paraburgim e Prokurorisë Themelore dhe iu caktua masa e arrestit shtëpiak. Beteja vazhdon drejt zbulimit te prapaskenave dhe hijeve të errëta”, ka shkruar Halimi në llogarinë e tij në Facebook.

Ndryshe, në lidhje me këtë rast që dyshohet se kirurgët kanë marrë ryshfet nga pacientët, më 10 janar, janë suspenduar tre kirurgë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe një anëtar i bordit të ShSKUK-së është shkarkuar./Telegrafi/