Site icon Telegrafi

Shkarkohet guvernatori i Bankës së Turqisë pas mosmarrëveshjeve me normat e interesit

Presidenti turk Recep Tayip Erdogan ka shkarkuar guvernatorin e bankës qendrore të vendit pa dhënë një arsye zyrtare.

Murat Cetinkaya e mbante postin që prej prillit 2016, tani në vend të tij është vendosur zëvendësi i tij.

Sidoqoftë, mediat turke shkruajnë se shkak për shkarkimin nga detyra janë mosmarrëveshjet në lidhje me normat e interesit që qeveria i do më të ulëta në përpjekje për të nxitur rritjen ekonomike. Vendimi ka shtuar shqetësimet edhe për pavarësinë e bankës qendrore.

Erdogan ka kërkuar që normat e interesit të ulen duke i konsideruar ato fajtore për situatën.

Ai ka pretenduar se norma e lartë e interesit shkakton inflacion dhe beson se ulja e tyre do të përmirësojë rritjen ekonomike.

Por banka qendrore, në muajin shtator, vendosi t’i rriste normat e interesit duke thënë se kjo do të ndihmonte në uljen e inflacionit dhe do të forconte lirën. /Telegrafi/

Exit mobile version