Janë shkarkuar Nevair Shabani, kryeshef i SPB-së dhe Berat Murati kryeshef i policisë kriminale në Tetovë. Numri dy i policisë Agim Nuhiu tha për Alsat M se ndryshimet bëhen për të krijuar front të ri për luftimin e krimit dhe ruajtjen e rendit.
“Është e vërtetë që ka ndryshime të kuadrove në SPB-Tetovë. Bëhet fjalë për punonjësit tonë të cilët kanë marrë shërbime te tjera në kuadër të policisë. Kabineti im së bashku me shërbimet e tjera të MPB-së, shqyrton mundësinë edhe për ndryshime të tjera të kuadrove në struktura të shërbimeve tjera të policisë me shpresë dhe optimizëm për të krijuar një front të ri më të fuqishëm që së bashku me qytetarët e vendit, me media dhe shoqërinë civile të goditim çdo profil të krimit në shoqërinë tonë”, deklaroi Agim Nuhiu.
Nuhiu tha se zëvendësimi i kryeshefave të shkarkuar do të bëhet në mënyrë transparente dhe se po punohet në përzgjedhjen e kandidatëve.
“Do t’i shqyrtojmë të gjitha kandidaturat, procedurat do të jenë transparente. Do të vijë personi i cili do të jetë me profesional dhe që do të ketë më shumë kapacitet për të në krye të shërbimeve të policisë”, tha Agim Nuhiu.
Sipas burimeve të Alsat-M, së shpejti pritet që ketë ndryshime të tjera të pozitave udhëheqëse në rajonet ku udhëheqin kuadro shqiptarë.