Vazhdojnë “kacafytjet” mes Kryetarit të Komunës së Gostivarit Arben Taravari dhe Ministrisë së arsimit dhe shkencës.
Së fundmi MASH shkarkoi dy drejtor në Gostivar. Atë të gjimnazit dhe shkollës ekonomike.
E për këtë reagoi Taravari duke e quajtur një veprim skandaloz, pasi sic tha kjo nuk guxon të ndodh në periudhë kur është fushatë zgjedhore.
“Ministria e arsimit me siguri për të siguruar vota, na i morën edhe ingerencat. Tash është periudhë zgjedhjesh, fushatë është, dhe kjo është skandaloze, në periudhë të fushatës të ndërrohet një drejtor dhe të emërohet një drejtor i cili gjashtë herë ka qenë ushtrues i detyrës në mandatin e ish kryetarit të komunës së Gostivarit”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.
Por nga Ministria e arsimit dhe shkencës thonë se kanë vepruar sipas vendimit të Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në përputhje me kompetencat e marra nga Komuna e Gostivarit dhe duke e respektuar dhe vepruar sipas Vendimit të Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë për Marrëdhënie Pune në Shkallën e Dytë, me të cilin miratohet ankesa e drejtorit të shkarkuar të shkollës në mënyrë joligjore në Gostivar, solli Vendim për kthimin e të njëjtit në pozitën e punës prej së cilës është shkarkuar në mënyrë joligjore”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Ndryshe, sipas ligjit për zgjedhje, neni 8a paragrafi 2, nuk mundet të hapet procedurë për punësimin e personave të ri, apo procedurë për ndërprerje të marrëdhënieve të punës në institucione shtetërore dhe publike, ndërsa procedurat e hapura ngrihen./Tv21/