Site icon Telegrafi

Shkarkohen 18 mijë nëpunës civilë në Turqi

Turqia këtë të diele lëshoi një dekret, përmes së cilit shkarkohen nga puna më shumë se 18 mijë nëpunës civilë, gati gjysma e të cilëve vijnë nga radhët e forcave policore, pikërisht përpara heqjes së mundshme gjatë këtij muaji të gjendjes së emergjencës, të vendosur prej dy vitesh, që pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti të korrikut të vitit 2016.

Dekreti vjen pas fitores së presidentit Rexhep Tajip Erdogan në zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar, e vetëm një ditë përpara se ai të bëjë betimin, tashmë në krye të një presidence të fuqishme ekzekutive.

Dekreti në fjalë shkarkon 199 akademikë nga universitetet anembanë vendit, sikurse më shumë se 5 mijë pjesëtarë të Forcave të Armatosura.

Autoritetet turke në fakt, sipas asaj që deklaroi zyra e të Drejtave të Njeriut në OKB gjatë muajit mars, ka shkarkuar që prej puçit të dështuar ushtarak rreth 160 mijë nëpunës civilë, përcjll TCH.

Mes të ndaluarve apo të paraburgosurve, më shumë se 50 mijë vetë janë përballur me akuza formale dhe janë mbajtur në qeli edhe gjatë gjykimit.

Aleatët perëndimorë të Turqisë kanë kritikuar ashpër këtë fushatë spastrimi. Kritikët e presidentit Erdogan e akuzojnë atë se po e përdor grushtin e dështuar të shtetit si pretekst për të shtypur disidentët. Turqia, nga ana e saj, shpjegon se masat janë të nevojshme për të luftuar kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare. /Telegrafi/

Exit mobile version