Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë nesër do të vazhdojnë për të tetën herë seancën e gjashtë, në të cilën pikë kryesore është shkarkimi i prokurorit publik, Marko Zvrlevski, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Gjatë ditës së djeshme në Kuvend pati disa tensioni, pasi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, nuk ia dha fjalën deputetit të OBRM-PDUKM-së, Antonio Milloshoski, deputetët tjerë vendosën që ta bllokojnë foltoren, ndërsa Xhaferi me ndihmë të sigurimit largoi deputetët nga foltorja.
Debati për shkarkimin e Zvrlevskit nga 5 korriku vazhdimisht është ndërprerë dhe shtyrë, ndërsa për këtë më meritorë janë deputetët e OBRM-PDUKM-së të cilët po e mbrojnë Zvrlevskin dhe nuk lejojnë të votohet shkarkimi i tij.
Ata së fundi kanë dorëzuar një kërkesë deri tek Komisioni për anti-korrupsion duke kërkuar mendim për interpretimin e nenit 8 të Ligjit Zgjedhor, i cili sipas OBRM-PDUKM-së, pamundëson emërimin dhe shkarkimin e funksionarëve nga institucionet shtetërore dhe publike./Telegrafi/