Site icon Telegrafi

Shkarkimi i Ilirik Musliut nxjerr në pah çështje tjera, nënkryetarja e PDK-së thotë se e kishte refuzuar Ramën për një proces të dëmshëm

Arkiv

Koalicioni LDK-PDK në kryeqytet siç duket nuk është në situatën më të mirë. Të premten, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama shkarkoi nga detyra Ilirik Musliu nga pozita e drejtorit të Shërbimeve Publike, pasi sipas Ramës, kryeqyteti po vazhdon të këtë probleme me menaxhimin e mbeturinave.

E, për këtë reagoi nënkryetarja e Komunës së Prishtinës nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahtçiu, e cila edhe akuzoi Ramën lidhur me një urdhër që ai kishte dhënë për digjitalizim në arsim, transmeton Telegrafi.

“Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit, me specifika e planifikim buxheti skandaloz. Njejtë, Përparim Rama, si Zyrtar Kryesor Administrativ, ka mundur të jep urdhër për çfarëdo procesi që paska mundur të rregullojë menaxhimin e mbeturinave, pa njohurinë dhe përfshirjen e Ilirikut. Pse nuk e ka bërë, e din ai vetë”, thuhej në reagimin e Sahatçiut.

Lexo po ashtu Kaosi me mbeturina në kryeqytet, Rama liron nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike

Ndryshe, të premten, Rama njoftoi se ka liruar nga detyra Ilirik Musliu, derisa tha se ka një vit që kërkon zgjidhje për çështjen e mbeturinave.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale alarmante në Kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave. Si Kryetar i Kryeqytetit, tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar”, kishte thënë Rama./Telegrafi/

Exit mobile version