Telegrafi

Shkarkimi i drejtorit të Shërbimeve Publike, nënkryetarja e Prishtinës e quan revansh politik të Përparim Ramës

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar ndaj vendimit të kryetarit Përparim Rama për shkarkimin e drejtorit të Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Nënkryetarja Sahatçiu, që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, e ka quajtur revansh politik të kryetarit Rama shkarkimin e bashkëpartiakut të saj, Ilirik Musliu.

“Ilirik Musliu ka qenë motori i qeverisjes së mirë të PDK në Prishtinë. Me Ilirik Musliun, problemi i mbeturinave as nuk ka fillu e as nuk ka pasë mundësi me u mbyll. Ky është problemi më kompleks i Kryeqytetit, e për këtë kemi shumë për të thënë”, ka shkruar Sahatçiu, në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.

Më tej ajo ka shkruar se “Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit, me specifika e planifikim buxheti skandaloz. Njëjtë, Përparim Rama, si Zyrtar Kryesor Administrativ, ka mundur të jep urdhër për çfarëdo procesi që paska mundur të rregullojë menaxhimin e mbeturinave, pa njohurinë dhe përfshirjen e Ilirikut. Pse nuk e ka bërë, e din ai vetë”.

Lexo po ashtu Kaosi me mbeturina në kryeqytet, Rama liron nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike

“Shkarkimi i fshehur i Ilirik Musliut sot përmes rrjeteve sociale, pa e komunikuar tek ai dhe askush tjetër rreth tij, është revansh i pastër. Na duket si revansh politik por nga një jopolitikan si Përparim Rama, revanshet janë personale”, thotë Sahatçiu.

Ajo thotë se “ky shkarkim, që i madh e i vogël sot në Prishtinë e di se nuk ka fare të bëjë me mbeturina e me Ilirikun, vjen pasi si PDK ritheksuam publikisht qëndrimin tonë politik që nuk do të mbështesim me asnjë kusht propozimin e tij për këmbim pronash me epiqendër zonën e Badovcit dhe çdo propozim tjetër që dëmton interesin publik”.

“Më 2 shkurt 2022 me Ilirikun iu bashkuam qeverisjes në Prishtinë. Më 2 shkurt 2024, Përparim Rama filloi revanshin publik”, ka shkruar Sahatçiu.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar sot se ka liruar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Rama në një postim në Facebook shkruan se që një vit ka kërkuar zgjidhje për situatën alarmante me mbeturina në kryeqytet. /Telegrafi/