Gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti, shkalla e shpyllëzimit të Amazonës ka qenë 70 për qind me e madhe, se sa në periudhën e njëjtë të vitit 2019.
Agjencia hapësinore braziliane, INPE ka gjetur se Amazona ka humbur 468 kilometra katrorë male, në krahasim me 274 kilometra katrorë që janë humbur gjatë vitit të kaluar, në po të njëjtën periudhë kohore, transmeton Telegrafi.
Kjo është rritja më e madhe e shpyllëzimit që nga viti 2016, kur si pasojë e thatësisë së madhe të ndihmuar edhe nga El Nino, kanë humbur 344 kilometra katrorë male.
Gjetjet u mblodhën si pjesë e DETER, një program i nisur nga INPE në vitin 2015, për të përdorur imazhe satelitore për të studiuar shpyllëzimet në Amazon.
Rritja ka shqetësuar shumë, sepse janari dhe shkurti në Brazil janë sezone me shi, që do të thotë se operacionet e djegies që zakonisht përdoren për pastrimin e pyllit janë ngadalësuar ndjeshëm.
“Rritja e niveleve të shpyllëzimit, nuk mund të shpjegohet me asnjë faktor klimatik” ka thënë Carlos Nobre, nga Universiteti i San Paulos.
Sipas tij, shpyllëzimin është duke e krijuar faktori njeri, pasi që malet po vidhen në masë të madhe, derisa zyrtarët janë të dobët që t’i ndalojnë.
Kur shirat të kenë filluar të ndalojnë, shpyllëzimi pritet të jetë edhe më i madh, me zgjerimin shumë më të lehtë të zjarreve. /Telegrafi/