Papa Françesku ka thënë se mund të vijë së shpejti koha kur duhet të marrë në konsideratë dorëheqjen – këtë do ta bënte nëse mendon se shëndeti nuk do të mund të shërbente ashtu siç duhet.
Ai i bëri komentet në fund të një udhëtimi në Kanada – ku u kërkoi falje indigjenëve – që përfshinte udhëtime të gjata dhe ditë të gjata, raporton bbc.
Papa 85-vjeçar theksoi se për momentin synon të vazhdojë detyrat e tij – dhe do të udhëhiqet nga Zoti se kur do të japë dorëheqje, nëse do të largohet fare.
“Nuk është një katastrofë të ndryshosh Papën, nuk është një tabu”, u tha ai gazetarëve nga një karrige me rrota.
“Dera [për daljen në pension] është e hapur – është një opsion normal. Por deri më sot nuk kam trokitur në atë derë. Nuk kam ndjerë nevojën të mendoj për këtë mundësi – nuk do të thotë se brenda dy ditësh mund të mos filloj të mendoj për të”, shtoi ai.
Gjatë muajve të fundit, Papa Françesku ka pasur probleme të vazhdueshme me gjurin që kanë ndikuar në lëvizshmërinë e tij. Ai e kaloi pjesën më të madhe të vizitës në një karrige me rrota. /Telegrafi/