Site icon Telegrafi

Shkaku i problemeve me motorin, aeroplanit iu desh të bënte ulje emergjente në një autostradë në Slloveni

Një aeroplan i vogël me dy pasagjerë ka bërë ulje emergjente sot në autostradën afër qytetit të Brezjes në Slloveni dhe sipas informacioneve fillestare nuk ka të lënduar.

Policia e Kranjit ka njoftuar se ka marrë njoftim se një aeroplan i vogël ka bërë ulje emergjente në rrugën kryesore afër Brezjes në drejtim të Jesenicës, transmeton portali slloven 24ur.

Vendi i uljes së detyruar të aeroplanit në autostradë po sigurohet aktualisht nga policia. Komunikacioni në autostradë zhvillohet në shiritin e shpejtë dhe ka edhe bllokime trafiku. Vonesa aktualisht është 30 minuta.

Një regjistrim i bisedës mes pilotit dhe kullës së kontrollit, i cili gjendet edhe në faqen e trafikut ajror Live, dëshmon se ka pasur një problem me motorin.

Së pari, një nga pilotët i tha kullës së kontrollit se duhej të ktheheshin në Lesce për shkak të problemeve me motorin. Një tjetër bisedë vijon më vonë.

“Motori i aeroplanit ka dështuar, ju lutem bëni një ulje emergjente në rrugën kryesore”, dhe kulla e kontrollit më pas u përpoq disa herë të tjera të krijonte një lidhje me pilotët, por lidhja tashmë ishte prishur. /Telegrafi/

Exit mobile version