Telegrafi

Shkaku i intervistimit të Lushtakut nga Specialja, PDK në Skënderaj shtyn aktivitetet zgjedhore

Ish-komandanti i UÇK-së dhe kreytari i degës së PDK-së në Skënderaj, Sami Lushtaku nesër pritet të nis intervistimin e tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Kjo ka bërë që dega e PDK-së në Skënderaj të shtyjë aktivitetet zgjedhore.

Kjo parti nëpërmjet një komunikate për media, ka bërë të ditur se zgjedhjet në këtë degë do ta vazhdojnë pasi Lushtaku të kthehet.

“Vazhdimi i mbajtjes së kuvendeve të nëndegëve do të bëhet pasi z. Lushtaku të kthehet nga intervistimi. Të gjithë anëtarët dhe simpatizantët do të njoftohen me kohë për vazhdimin e procesit të brendshëm zgjedhor”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Ish-shefi i Shtabit të UÇK-së është ftuar për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, por ende nuk dihet nëse është ftuar në cilësinë e të dyshuarit apo të dëshmitarit.

Veç Lushtakut, intervistimin sot e ka përfunduar Rrustem Mustafa-Remi. /Telegrafi/