Njerëzit që nuk janë shtetas kanadezë ose banorë të përhershëm nuk do të lejohen të hyjnë në Kanada, njofton kryeministri i vendit, Justin Trudeau, masa këto që synojnë të luftojnë përhapjen e coronavirusit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kufizimet do të hyjnë në fuqi të mërkurën, ndërsa linjave ajrore u është kërkuar ndalimi i fluturimeve të personave që shfaqin simptoma.
“Nëse jeni jashtë vendit, është koha që të ktheheni në shtëpi”, njoftoi Trudeau të hënën nga vendbanimi i tij në Otava, ndërsa është në izolim pasi gruaja e tij doli pozitive në stestin për virusin.
Ai shtoi se kanadezët duhet të shmangin të gjitha udhëtimet jo thelbësore deri në njoftimin e mëtejshëm dhe duhet të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur.
Për më tepër, raportohet se vetëm aeroportet Calgary, Montreal, Toronto dhe Vancouver do të lejohen të pranojnë fluturime ndërkombëtare, kurse diplomatët, familjarët e qytetarëve kanadezë dhe qytetarët amerikanë janë të liruar nga bllokimi.
I pyetur për përjashtimin e fqinjit jugor (SHBA), të Kanadasë, Trudeau tha se të dy vendet po veprojnë bashkërisht për të kordinuar masat e përhapjes së virusit vdekjeprurës.
Deri më tani në Kanada janë konfirmuar 324 raste të coronavirusit, ndërsa një person ka ndërruar jetë./Telegrafi/