Tashmë në të gjithë botën po merren masa parandaluese ndaj gripit më në zë të momentit, coronavirus.
Si rrjedhojë, përveç maskave shumë njerëzve po u kërkohet edhe që të mos qëndrojnë në ambiente me shumë njerëz si koncertet apo ngjarjet e mëdha.
Kjo ka bërë që edhe reperja e njohur shqiptare me famë në Zvicër, Loredana Zefi, të anulojë koncertin e paraparë të mbahej në Rinora 4.
Këtë gjë, reperja me prejardhje nga Ferizaj e bëri të ditur përmes një shkrimi të publikuar në InstaStory.
“Siç e keni vënë re të gjitha, të gjitha ngjarjet në Zvicër që mund të përfshijnë më shumë se 1000 njerëz duhet të anulohen. Për këtë arsye, për fat të keq duhet të anulojmë shfaqjen tonë në Rinora 4. Nuk do të ishte e drejtë në një klub me kapacitet prej tre mijë personash, të jenë vetëm 1000 sosh. Kjo nuk ka kuptim për klubin dhe unë nuk doja të zhgënjej fansat e mi. Ne po mundohemi të gjejmë një datë të re”, ka shkruar Loredana në gjuhën gjermane.
Coronavirusi përndryshe deri më tani sipas mediave të huaja, raportohet të ketë marrë jetën e mbi 2900 njerëzve. /Telegrafi/