Site icon Telegrafi

Uji depërton në bodrumin e klinikës ku trajtohen pacientët me kancer, dëmton aparaturën e Radioterapisë

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHKUK), njoftoi sot se për shkak të reshjeve të shumta atmosferike, uji ka depërtuar në bodrumin e Klinikës së Onkologjisë, ku trajtohen pacientët me kancer.

Si pasojë e kësaj është dëmtuar aparatura e Radioterapisë, e cila siç bëhet e ditur në njoftim, për momentin është jashtë funksionit.

Ndërsa, shërbimet e tjera në këtë klinikë SHSKUK thotë se po ofrohen normalisht.

“Ekipet e Klinikës së Onkologjisë, bashkë me sektorin teknik dhe atë të pajisjeve mjekësore të QKUK-së, kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme duke ç’kyçur nga puna aparaturën e radioterapisë, me qëllim të parandalimit të pasojave të pa paparashikueshme”, thuhet në komunikatën për media.

“Në ndihmë kanë ardhur edhe ekipi zjarrfikësve dhe shërbimeve komunale të cilët kanë asistuar gjatë gjithë kohës. Aparatura e Radioterapisë për momentin është jashtë funksionit, kurse shërbimet e tjera në Klinikën e Onkologjisë po ofrohen normalisht”.

Tutje, SHSKUK thotë se ekipi i kontraktuar për mirëmbajtje të aparaturës mjekësore është duke analizuar situatën e aparaturës së Radioterapisë dhe bazuar në vlerësimin final dhe testimet e nevojshme, Kolegjiumi i Klinikës së Onkologjisë do të dalë me rekomandime, se si do veprohet më tutje me trajtimin e rasteve në radioterapi.

“Të gjithë pacientë e planifikuar për radioterapi janë njoftuar përmes telefonit në lidhje me situatën e krijuar dhe do të mbahen të informuar”. /Telegrafi/

Exit mobile version