Telegrafi

Shiu i dendur përmbyt rrugët e Prishtinës

Për shkak të shiut të dendur që ka rënë këtë të diel në Prishtinë, rruga prapa Teatrit është mbuluar nga uji. 

Sipas disa video-incizimeve të dërgura nga lexuesit e Telegrafit, shihet se qarkullimi në qendrën e qytetit, por edhe në dalje të Prishtinës është vështirësuar si pasojë e sasisë së madhe të ujit të mbledhur.

Ndërkaq amfiteatri në sheshin “Zahir Pajaziti”, tashmë është bërë liqe artificial.

Po ashtu edhe rruga për Gërmi është përmbytur nga vërshimet.

Përveç Prishtinës, shihu preku edhe komunat e tjera. Komuna e Skenderajtdhe Gjilanit pati shira të dendur dhe breshër gjatë ditës së diel.

Sipas kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, komuna ka bërë intervenim në 25 raste të ndryshme nga 52 thirrje që kanë pranuar institucionet komunale të emergjencave.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të evitojnë daljen në rrugë në orët e pasdites.

“Pritjet janë që sot nesër dhe të martën të ketë prapë intensitet të shirave më të dendur në Komunën e Gjilanit”, tha ai.

Ndërkaq, megjithëse shtete të shumta në Evropë kanë parë reshje shumë të dendura të shiut këto ditë, deri më tani Instituti Hidrometeorologjik dhe meteorologët nuk kanë parashikuar se moti i lig në Kosovë do të zgjatet edhe për shumë ditë.

Të premten (16 korrik), Instituti kishte parashikuar mot me shi nga data 17 deri më 19 korrik.

Megjithatë, sipas këtij njoftimi, nuk parashihet dalje e lumenjve nga shtretërit, që paraqet shkakun kryesor të vërshimeve dhe dëmeve të rënda si pasojë e reshjeve.

“Në lumenjtë kryesorë, sipas rrjetit të stacioneve hidrometrike në Kosovë, nuk parashihet që të kenë lëkundje të theksuara të niveleve dhe prurjet të ujit, prandaj edhe nuk do të ketë rrezik nga përmbytjet lumore”, thuhej në njoftim./Telegrafi.