Telegrafi

Shiu i dendur ka sjellë përmbytje në rrugët e Portos, Portugali – pamjet tregojnë kaosin e krijuar

Shirat e dendur kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në qytetin e Portos, Portugali – këtë fundjavë.

Për fat të mirë, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, nuk është raportuar për ndonjë viktimë.

Megjithatë, rrugët janë shndërruar në lumenj që derdhen në stacionet e metrosë, dhe atje ka rrëshqitje balte edhe në mes të qytetit.

Ky dhe ishte spektakli që banorët e Portos dëshmuan të shtunën dhe të dielën.

Sipas agjencisë portugeze të lajmeve Lusa, reshjet e dendura erdhën radhazi dhe përmbytën një pjesë të madhe të qytetit.

Përmbytjet ishin më të rënda në qendër.

Shërbimet e urgjencës kanë bërë të ditur se ata u thirrën në veprim më shumë se 150 herë në më pak se dy orë të shtunën.

Shumica e thirrjeve lidheshin me përmbytje në banesa apo rrugë publike.

Rajoni i madh i Portos do të qëndrojë në alarm të verdhë deri në orët e mbrëmjes të së dielës.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit po bëjnë çmos për të evakuuar ujin e bllokuar në qendër të qytetit. /Telegrafi/