Shitjet me pakicë në Gjermani u rritën mbi pritshmëritë gjatë muajit gusht, ç`ka është një tjetër shenjë pozitive që tregon se shpenzimet konsumatore vazhdojnë të udhëheqin ekonominë më të madhe të Europës duke lënë në hije kështu tregtinë e dobët.
Indikatori që mat shitjet me pakicë regjistrohet kështu në rritje me 3.7 për qind gjatë gushtit në krahasim me të njëjtën periudhë të një vit më parë, tregon zyra e statistikave në vend. Projeksionet e analistëve ndërkohë flisnin për një rritje me vetëm 1.3 për qind.
Në 8 muajt e parë të vitit, shitjet me pakicë në Gjermani regjistrohen në një rritje prej 2.2 për qind në terma vjetorë. Qeveria gjermane nga ana tjetër mbështetet ekskluzivisht te konsumi privat si motori i rritjes ekonomike të vendit.
Konsumi merr shtysë nga tregu i fortë i punës, rritja e pagave dhe inflacioni i dobët. Të gjithë këta faktorë nxisin një rritje ekonomike të vendit të projektuar në 1.7 për qind përgjatë këtij viti.
Institucionet ndërkombëtare ndërkohë projektojnë një zgjerim të ekonomisë me 1.9 për qind. /Telegrafi/