Prodhuesi i automjeteve elektrike Tesla pati rënie të shitjeve të makinave me 59% nga viti në vit në Gjermani muajin e kaluar, sipas Autoritetit Federal të Transportit Motorik të vendit.
Tesla, prodhuesi më i madh në botë i EV, i cili ka fabrikën e vetme evropiane në Gjermani, regjistroi 1277 makina të reja në vend në janar, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Kjo është shifra më e ulët mujore e parë që nga korriku 2021.
Kjo vjen gjithashtu pavarësisht nga fakti se tregu më i gjerë i EV i Gjermanisë u rrit me 54% në janar, duke ulur pjesën e tregut të Tesla nga 14 në 4%.
Ka një sërë faktorësh që mund të kenë kontribuar në rënien e shitjeve, sipas ekspertëve.
Një mundësi është rritja e statusit të CEO Elon Musk si figurë politike dhe mbështetja e tij e zëshme për figurat e ekstremit të djathtë.
Ndërsa Gjermania përgatitet për zgjedhjet federale më vonë këtë muaj, Musk ka mbështetur publikisht partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Grupi po bën fushatë veçanërisht për dëbimin masiv të emigrantëve në Gjermani dhe është i njohur për pikëpamjet e tij euroskeptike dhe pro-Moskës. /Telegrafi/