Site icon Telegrafi

Shitet banesa … dy orë larg detit

Nëse titulli i këtij shkrimi do të lexohej si një njoftim imobiliar, zëreni se ai shkruar në një letër formati, është i vendosur në një kënd njoftimesh në qytetin e Prizrenit. Asgjë s’është për t’u shpotitur. Prizrenasit, po edhe gjakovarët a prishtinalitë, janë blerës të dorës së parë, edhe qiramarrës gjithashtu, të banesave në Shëngjin.

Prej ku “Rana e hedhun”, me kokrriza të mëdha, që vezullojnë si perla, i vishet rrëzës së malit të Shëngjinit dhe ka krijuar aty peizazhin e magjishëm e krejt të përveçëm në sojin e vet, e deri në Kune, emri i lagunës së dikurshme, prej së cilës vetëm emri është i hershëm… krejt vija bregdetare, dikund nja gjashtë kilometra e gjatë, rrok plazhin e Shëngjinit. Në verë, përreth 60 për qind popullohet prej qytetarëve nga Kosova. Një plazh që përbashkon tri të tillë: i “Ranës së hedhun”, Plazhi i Vjetër i Shëngjinit dhe më i riu, ai i Kunesë, i cili vijon e zgjatet e rritet. Shëtitorja e vjetër, në qendrën e Shëngjinit të dikurshëm, e gjatë rreth një kilometër, ka mbaruar së ndërtuari nja shtatë a tetë vera më parë. Aty, dendësia e popullsisë “tranzit”, siç janë zakonisht popullimet e verës në bregdet, është më e larta përgjatë vijës së kaltër dhe nuk bie gjatë gjithë verës.

Mbrëmjet e fundjavës së shkuar ishin të mbushura përplot me gazin e shendin e pushuesve. Shëtitorja plot, lokalet e bukura e të shumta, mbushur gjithashtu. Po pa zhurmë e tallavá, siç ka qenë rëndom më parë. Edhe një lodër e një curle, që përsillej si “piskamë” prej Bjeshkëve të Sharrit a Grykës së Rugovës, krejt pa vend e pa rend këtu në bregdet, vetëm një ditë e jo më, janë dukur në këtë fillimsezioni. Shpresoj të jenë turitë (trembur, larguar) bashkë me bezdinë që sjellin. Ndoshta ka qenë një tjetër sfidë e Pjerin Ndreut, kryetarit të Bashkisë për mbrojtjen e pushuesve këtu edhe prej ndotjes akustike. Se, pas ndotjes së rënduar për vite e vite të mjedisit publik, Shëngjini është plazhi më i pastër në vend, pa mëdyshje. Pastërtia e dallueshme e aq e lakmueshme, shembull për krejt bregdetin shqiptar, është sfida e parë, të cilën Pjerini e pati filluar në verën e shkuar dhe po e përkryen sivjet. Kjo duket ashiqare, sado të errëta t’i kesh syzet…

Një “shesh” i vogël diku në mes, i përftuar prej një udhakryqi, që degëzon shëtitoren e bregut me rrugën kryesore që i bie përmes qytetit, tashmë, për shkakun e së resë, e ka humbë funksionin e shëtitores që kishte dikur. Aty është vendosë shtatorja e At Zef Pllumbit; françeskanit që fati me rrnue gjatë, një jetë të mnershme duke kaluar nëpër kalvarin e mundimeve përplot me sakrilegje, si thuajse të gjithë bashkëvëllezërit e tij vërsnikë, i dha privilegjin me u shënjue në kapërcyell të moshës së vet si rrëfimtari memorialist par exellencë në letrat shqipe të shekullit të shkuar e deri sot.

Pader Zefi ka lindë aty sipër, në Malin e Rrencit, që zbret teposhtë, thikë. Aq afër detit “sa me hedh gurin pej malit bie në det”. Aty kishin zatetë të parët e tij një shekull e gjys më parë prej Shkrelit të Malësisë së Madhe, prej Boge ku deri vonë kishin tanet e tyre e për shumë vite kishin bërë jetën e përpjesshme, ashtu si krejt malësorët e zbritur në fushë nga Velipoja e deri në Gurzë e më përtej, përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë. Dimrat këtu poshtë e verat atje lart në bjeshkë, në malësi. E megjithatë, fëmijëria e më pas krejt jeta e tij pati tjetër rrjedhë. Merret qysh pesë vjeç si bir në shpirt prej priftit gjermanmartir i fesë e i besimit, don Alfons Tracki. Merr mësime të para në edukatë e sjellje, më tepër prej shëmbëlltyrës së tij, mandej kur mbush shtatë vjeç hyn në Kolegjin Françeskan të Shkodrës. Nxënësi aty merr dijet e kulturën që jepej prej mësuesve – personalitetet më të spikatura të kulturës sonë kombëtare: Fishta, Harapi, kompozitori At Martin Gjoka, historiani At Marin Sirdani e të tjerë, dije e kulturë e njëjtë me atë që merrej në licetë europiane të kohës. Po në shtëpinë e prindërve tash kthehej rrallë e më rrallë, i përshtatur me rregullat e Urdhnit Françeskan, të cilit iu kushtua…

Mandej në burg, mandej frat në Dukagjin, mandej në burg prapë, po kësaj here gjatë…

E, kështu, detit i ndenji larg. Ai detit dhe deti atij. Po aty në atë patolog (vend i sheshtë) të shëtitores, shtatorja e tij është “gur i vumë në vend të vet” … Kurse vetë shëtitorja mban emrin e njërit prej Presidentëve të famshëm të Shteteve të Bashkuara, Willson, dhe jo më larg se 5-6 metra a e shumta 10 prej shtatores së lartë të pader Zefit, është edhe një bust i tij. Ende sot, pakkush, shumë pakkush e di se ç’nyje mikroskopike e lidh emrin e presidentit të madh me Shëngjinin sa një pikë me zor e dallueshme në hartën e botës së madhe. Po historia na “rrëfen” se qyteti i Shëngjinit qe emërtuar qyteti “Willson”, vënë prej qeverisë së Nolit, pas “trazimeve të qershorit”, siç i quan Fishta në një ese të gjatë të shkruar asokohe dhe “harruar” ashtu në letër ka mbetë i parivendikuar edhe përgjatë qeverisë komuniste e deri sot. Por asnjëherë nuk zu vend në memorien e kohës; Shëngjini gjithherë është thirr Shëngjin.

Një Zot e di se pse është ndjerë i “paplotësuar” kryetari i asokohshëm i komunës, Salvador Kaçaj, futbollisti i dikurshëm i Kombëtares, energjik e shumë punëtor, vetëm me Pader Zefin … po si duket dëshira për t’i dhënë “tribù”-së së tij edhe pak dimension të përbotshëm, një ego e natyrshme e për t’u lakmuar, pse jo. Që meriton nderime e falënderime sot e mot.

Për krejt verat e shkuara ajo ka gjallëruar përherë e më shumë, mbrëmje për mbrëmje ajo ka qenë ding (e mbushur). Këto ditë edhe më plot. Nuk janë më dhe kioskat e tezgat, që estetikisht të rrëmujshme patën shërbyer ritualin e ecjeve të mbrëmjes. Aty, pati ndërtuar marrëdhënien me lexuesin e vet edhe prozatori prodhimtar vendas Ndue Gaspri … Ai tani nuk është më po bashkë me veprën e begatë është për t’u shënuar në mbamendje përvoja e tij e takimit të parmbrëmshëm aty në cep të shëtitores edhe prej kolegëve krijues…

Nga vera e shkuar… “Willson”-it i janë shtuar edhe 1,2 kilometra dhe gjithë lungomarja Shëngjin-Kune zgjatohet dy kilometra e më. Është pesë metra e gjerë ndërsa përtej bordurës ka edhe dy metra të tjera gjelbërim, duke iu përshtatur në këtë mënyrë brezit të pishave që përshkon thuajse të gjithë bregdetin e Kunesë. E ndriçuar për bukuri i vesh mbrëmjet e pushuesve plot romantikë e sharm. Investimi është realizuar prej biznesit të atyshëm. Bashkia ka ofruar projektin.

Të bën me u ngjall shpresa se kaosin e dendurinë e ngrehinave, të ndërtuara ndër vite pa studime e plane të mirëfillta afatgjata e perspektivë urbane, sëmundja që na e ka bërë të neveritshme Shqipërinë tonë përtej dhuntive që Zoti e natyra i ka falë, mund të bëhen edhe gjëra të dobishme. E të bukura, pse jo mor Zot! Në sintoni me bukuritë dhunti…

Akomoduesit dhe strukturat hoteliere e të shërbimeve të tjera turistike sivjet ndihen të çmpitë, këtë mund ta shohësh e dallosh që në bisedën e parë që të bësh me secilin. “Afshi” i ngrohtë vjen sërish nga Kosova, anipse trau ndërmjet është ende i ulur në Kalimash…

Pështjellimi i madh që ka shkaktuar pandemia, sidomos për turizmin, duket se sivjet është davarit e duket se shpejt, sa më shpejt, njerëzia po hyn në portën e këndelljes e shpresës prej lëngatës së gjatë që na shkaktoi virusi i padukshëm.

Kurse rruga për në Vain, në lagunën tjetër të bukur shumë të bregdetit të Lezhës, ka përfunduar qysh verën e shkuar. Shkon deri në fund te “Trëndafili mistik” i Diellës e pak më përtej. E ngushtë, njëkalimëshe për makina të vogla, të cilat mund të kryqëzohen në vajtje-ardhjen e tyre vetëm përmes xhepave të improvizuar. E konstruktuar edhe si një pedonale, po ka edhe një korsi biçikletash, nëpër të cilën mund të kundrohet e shijohet me të gjitha shqisat e gjymtyrët pylli i mrekullueshëm që shtrihet deri në rërën kokrrizartë në derdhjen e Drinit … Më bukur se gjithherë sivjet. Edhe si një sfidë për lëngatën pandemi, që shpresojmë se po ikën.

 

 

Exit mobile version