Telegrafi

Shiten shumica e biletave dy javë para shfaqjes së “Tartufit”

Si duket, emri i regjisorit Rahim Burhan, por edhe i dy aktorëve në rolet kryesore, Bajrush Mjaku dhe Çun Lajçi, si dhe i skenografit turk, Nurollah Tuncer, i ka tërhequr njerëzit të blejnë dhe rezervojnë biletat kaq shumë kohë përpara.

Burhan, që është një regjisor i njohur i teatrit në Evropë, punon për herë të parë në Kosovë dhe atë në njërën prej komedive më impresive të Molierit të famshëm.
TKK përmes kësaj shfaqje sjell para publikut Kosovar “Tartufin shqiptarë”, me pretendime që gjatë viteve të ardhshme kjo shfaqje të shfaqet edhe në festivale ndërkombëtare te teatrit. Pritet që disa selektorë festivalesh të regjionit të vinë me 17 Dhjetor në premierë.

Në shfaqje janë angazhuar edhe kostumografi nga Maqedonia Blagoja Micevski, dramaturgu kosovar Ilir Gjocaj, kompozitori Ilir Bajraj etj. Si aktorë janë angazhuar, Bajrush Mjaku, Çun Lajçi, Igballe Qena, Blerta Syla, Mentor Zymberaj, Florentina Ademi, Bekim Guri, Shengyl Ismaili e Asllan Hasaj. Menaxher i shfaqjes është Avni Abazi, aktor dhe producent.

Kjo shfaqje është pjesë e repertorit të rregullt të TKK-së. Financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga sponsor e donatorë si Raiffeisen Bank, Zyra Franceze etj.