Telegrafi

Shiten 200 palë atlete speciale për 25.3 milionë dollarë

Sotheby’s ka shitur 200 palë atlete të dizajnuara nga i ndjeri Virgil Abloh për 25.3 milionë dollarë, tha shtëpia e ankandeve të mërkurën – tetë herë më shumë sesa ishin vlerësuar fillimisht prej tre milionë dollarësh.

Atletet e edicionit special Louis Vuitton dhe Nike “Air Force 1” janë projektuar për edicionin “Pranverë-Verë 2022”, njoftoi shtëpia e ankandeve.

Abloh, i cili ishte drejtor artistik i veshjeve për meshkuj të Louis Vuitton – dhe drejtori i parë artistik me ngjyrë i shtëpisë së modës – vdiq në nëntor në moshën 41-vjeçare pasi luftoi për dy vjet me një formë të rrallë kancerit, raporton cnn.

Këpucët ndryshonin në madhësi nga 5 deri në 18, me palët e madhësisë 5 që siguronin çmimin më të lartë, në 352,800 dollarë – më shumë se 23 herë më shumë se vlerësimi i lartë prej 15 mijë dollarësh.

Sotheby’s tha se mori 10 mijë oferta në total – 40 për qind e të cilave erdhën nga Azia. Më shumë se dy të tretat e ofertuesve ishin të moshës nën 40 vjeç, transmeton Telegrafi.

Secila palë shitej me një këllëf portokalli Louis Vuitton të bërë prej lëkure taurillon dhe të riinterpretuar nga dizajnet e mëparshme në arkivin e shtëpisë së modës.

Të ardhurat nga shitja do të shkojnë në Fondin e Bursave Virgil Abloh “Post-Modern”, një bamirësi e krijuar për të mbështetur arsimimin e studentëve premtues me ngjyrë, afrikano-amerikanët dhe afrikanët, shtoi shtëpia e ankandeve.

Abloh ishte përfshirë në organizimin e hershëm të ankandit përpara se të vdiste, njoftoi Sotheby’s.

Charles F. Stewart, CEO në Sotheby’s, tha në një deklaratë se ankandi “rekord”, i cili pa “pjesëmarrje të pashembullt globale”, ishte testament i trashëgimisë së Abloh si “një nga artistët dhe dizajnerët më vizionarë të brezit të tij, ndikimit i të cilit u përhap gjerësisht dhe është ende i dukshëm”.

Përveçse ishte një stilist në Louis Vuitton, Abloh themeloi etiketën Off-White. Ai ishte gjithashtu një DJ dhe një ish-drejtor kreativ në agjencinë e dizajnit Donda, në pronësi të Kanye West, i cili tani njihet si Ye.

Në Louis Vuitton, ai u vlerësua për sjelljen e një apeli demografik më të ri për markën dhe për mjegullimin e linjave midis modës së lartë dhe veshjeve të rrugës. /Telegrafi/