Telegrafi

Shisnin kokainë dhe kanabis në lagjet e Fierit, arrestohen në flagrancë 4 shtetas

Katër persona janë arrestuar nga policia e Fierit me akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacionit të koduar Tempulli në lagjen Apollonia të qytetit të Fierit u vunë në pranga shtetasit M. S., 33 vjeç, E. Z., 39 vjeç, F. Sh., 34 vjeç, dhe M. Ç., 41 vjeç, të katërt banues në Fier.

Gjatë kontrollit personal dhe më pas në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhjetëra doza me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë gati për shitje.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe pasi e ndanin në doza, i shitnin ato në qendër të qytetit, në afërsi të lumit Gjanica.

Lënda narkotike, 3 peshore elektronike dhe 4 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. /Telegrafi/