Banorët e fshatit të Shipkovicës jetojnë ende në ankthin e tre gushtit të vitit të kaluar. Rreziku ende nuk ka kaluar thonë ata. Shtrati i përroskës që mori 4 jetë verën e kaluar nuk është rregulluar, e për këtë shkak, banorët frikësohen që të kthehen në shtëpitë e tyre. E gjithë lagjja e dëmtuar tani është strehuar nëpër shtëpitë e kurbetçinjve. Banorët bëjnë thirrje që komuna apo institucionet qeveritare sa më shpejt të ndërmarrin masa, njofton tv21.
“Në rast se shteti nuk merr masa apo pushteti lokal për hapjen e koritës së këtij përroskës, unë atëherë kot punoj, nuk mund t’i sjell fëmijët edhe njëherë ti mbyti me dorën time, sepse tani nuk dihet koha, ndryshimet klimatike, mund nesër të vjen edhe nuk kam besim më nuk mund të besoj, unë i dhashë dy viktima, shkuan dy viktima, e pagova shtrenjte unë, dhe për këtë arsye e lus komunën apo qeverinë të na tregojnë se a do marrin masa apo jo, përndryshe unë atëherë u deklarova se nuk do të kthehem në këtë vend, në rast se nuk e hapin koritën”.
“Si nuk jemi në rrezik këtu, ju vet e shihni se si është puna këtu, ato vetë thanë se do ta rregullojmë por ja, ende nuk dihet ndoshta do të vijnë ta rregullojnë por nuk e di”.
“Nëse rregullohet lumi ne rrezik nuk do të kemi, por pa u rregulluar lumi ne këtu nuk mund të ndërtojmë shtëpi”, thonë banorët.
Ndërsa me komunën e Tetovës në asnjë mënyre nuk arritëm që të kontaktojmë. Pas shumë insistimeve tona nga kjo komunë nuk kishte asnjë përgjigje se përse nuk po rregullohet shtrati i përroskës.
Banorët shprehin shqetësime se reshjet e muajve të ardhshëm sërish mund të shkaktojnë vërshime. Nga vërshimet fatale të 3 gushtit të vitit të kaluar, katër veta e humbën jetën, mes tyre edhe fëmijë. Pas Shipkovicës, një nga vendbanimet më të dëmtuara nga vërshimet ishte Reçica e Vogël. /Telegrafi/