Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me sportet tjera si basketbolli, mundja, xhudo etj. Por, që një sportist nga Shqipëria t’i mbrojë ngjyrat e Kosovës, kjo gjë nuk ishte parë në të kaluarën. E akullin në këtë aspekt mund ta thyejë basketbollisti shqiptar, Gerti Shima, i cili tash e disa vite është duke luajtur me mjaft sukses në basketbollin e Kosovës.
Alo-qendra tiranase është i gatshëm ta lërë Shqipërinë për ta përfaqësuar Kosovën, në eliminatoret për Kampionatit Evropian “EuroBasket 2017”. “Nuk do të luaj më për Shqipërinë në eliminatore pas të gjitha gjërave të cilat kanë ndodhur atje. Jam i gatshëm të vij të luaj për Kosovën, edhe pse nuk e di se a kam të drejtë.
Por, nëse një gjë e tillë do të ishte e mundur, do të vij të luaj për Kosovën, nëse do të ftohem”, u shpreh Shima për “Zërin”. Të kujtojmë që ish-basketbollisti i Pejës dhe së fundi Bashkimit, ka debutuar me Prishtinën, në ndeshjen e zhvilluar ndaj Trepçës, të cilën e fituan kryeqytetasit me rezultat 87:48. Shima është njëri prej lojtarëve më të mirë në basketbollin kosovar viteve të fundit.