“Banorët e Shkupit pinë ujë të pastër dhe të shëndetshëm dhe nuk duhet të shqetësohen nëse ka ujë të mjaftueshëm”.
Këtë sot e theksoi kryetari i Bashkisë së Shkupit Petre Shilegov, me rastin e shënimit të 22 Marsit – Ditës botërore të ujit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Shilegov tha se uji që e konsumojnë shkupjanët është i sigurt dhe është e pamundur të jetë i ndotur. Sipas tij, uji i Shkupit është një nga tre më të mirët në Evropë.
“Uji që e pimë është i vjetër 30 vjet. Aq është e nevojshme që uji nga Malet e Sharrit, që vjen përmes Pollogut deri në Rashçe, të filtrohet. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen. Bashkia e Shkupit garanton që uji që e pimë është i shëndetshëm dhe nuk duhet t’ju besohet individëve që dëshirojnë të shkaktojnë frikë tek qytetarët”, tha Shilegov.
I pyetur për sistemin ujësjellësin në Komunën e Sarajit, Shilegov tha se në momentin kur komuna do të nis projektin ndërtimor, Bashkia do të jetë e gatshme ta vendos sistemin e ujësjellësit./Telegrafi/