Shkupi sot është qytet me shumë sfida. Ndotja, gjithsesi është problemi më i madh, por ka edhe shumë probleme me infrastrukturën, trafikun, urbabanizmin, gjelbërimin. Shumë nga këto probleme janë të tejkalueshme dhe të zgjidhshme, vetëm nëse të gjithë ne jemi të gatshëm të heqim dorë nga një pjesë e rehative tona dhe të investojmë në ardhmërinë tonë të përbashkët.
Këtë sot e theksoi kryetari i Bashkisë së Shkupit, Petre Shilegov, gjatë shënimit të 13 Nëntorit – Ditës së Çlirimit të Shkupit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai potencoi se në zgjidhjen e këtyre problemeve duhet të përfshihen pushteti qendror, i qytetit dhe komunal, biznesmenët dhe organizatat, por edhe të gjithë qytetarët.
“Të gjithë duhet të heqim dorë nga pak që të marrim më shumë, që të krijojmë qytet funksional dhe prosperues, qytet i cili do të punojë për qytetarët e saj dhe për të gjithë”, tha Shilegov.
Shilegov u shfaqi admirim dhe falënderim luftëtarëve të cilët janë përfshirë në çlirimin e Shkupit. Muzeu përkujtimor i tyre të punëtorisë partizane ilegale për armë tashmë disa vjet është i mbyllur, siç tha, për shkak të moskujdesit.
Sipas Shilegovit, Shkupi duhet të jetë krenar dhe nuk guxon ta harrojë historinë e tij antifashiste dhe leksionet nga e kaluara./Telegrafi/