Telegrafi

Shilegov: Deponia “Drislla” është kthyer nën kompetencat e Bashkisë së Shkupit

Kryetari i Bashkisë së Shkupit Petre Shilegov, sot në konferencë për shtyp tha se pas dy vjetëve, kompetencat e deponisë “Drislla” i janë kthyer bashkisë.

Ai tha se me këtë vendim të Regjistrit Qendror dhe zyrtarisht përfundon aventura 9-vjeçare e OBRM-PDUKM-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Në periudhën e ardhshme, për punën e deponisë Drislla do të përgjigjet Bashkia e Shkupit dhe unë si kryetar i juaj. Janë krijuar kushte që gjatë ditës së nesërme të shkarkohet drejtori i deritanishëm i Drisllës dhe të emërohet ushtrues detyre, ndërsa pas seancës së Këshillit të Bashkisë së Shkupit, e cila është caktuar më 29 janar, të zgjedhen edhe bordi drejtues dhe mbikëqyrës, për tanimë ndërmarrjen e re publike për menaxhimin e mbeturinave komunale”, tha Shilegov.

Ai tha se pas përfundimit të këtyre procedurave, do t’i ftojë të gjithë qytetarët dhe shoqatat, që të analizojnë punën e deritanishme të deponisë dhe së bashku ta vërtetojnë gjendjen faktike të saj./Telegrafi/