Prezantuesja e një spektakli televiziv në Kuvajt është pushuar nga puna, pasi shikuesit ishin ankuar për veshjen e saj.
Amal Al-Awadhi, 29-vjeç, ishte ende në transmetim të drejtpërdrejtë, kur dëgjoi zyrtarët e lartë të televizionit duke urdhëruar regjinë që të ndalin menjëherë transmetimin, transmeton Telegrafi.
Arsyeja e ndërprerjes së transmetimit ishte se shikuesit ishin ankuar në Twitter, se fustani i bardhë i prezantueses Al-Aëadhi ishte i papërshtatshëm për muajin e shenjtë të Ramazanit.
Incidenti ka ndodhur gjatë transmetimit të drejtpërdrejt të një spektakli televiziv, të cilin po e udhëhiqte prezantuesja Al-Awadhi në televizionin e Kuvajtit, televizion ky që menaxhohet nga qeveria e këtij vendi.
Prezantuesja ka realizuar një video ku ka dhënë shpjegimet se pse është pushuar: “dëgjova dikë thënë largoje Amal Al Awadhin nga transmetimi i drejtpërdrejtë, përndryshe do ta fiku gjithë televizionin”.
Raportohet se njëri nga personat që ishte ankuar është zyrtar qeveritar, edhe pse një gjë e tillë nuk është konfirmuara nga autoritetet e këtij vendi.
Ajo kishte veshur një fustan të bardhë të gjatë deri nën gjunjë, ndërsa ka pyetur se si ka mundësi që dikush të fyhet nga veshja e saj.
“Vetëm pse po transmetohej në muajin e shenjtë të Ramazanit, isha e kujdesshme që të mos veprojë kundër traditave, kështu u vesha siç edhe kërkohet”, ka shtuar ajo.
29-vjeçarja që gjithashtu punon si aktore, thotë se deri më tani nuk i janë dhënë shpjegime se pse është pushuar nga puna në televizionin e Kuvajtit. /Telegrafi/