Suvd-erdene është vetëm 9 vjeç, por që tani bën ushtrime me krahët pa i vënë këmbët në tokë, e si shumë nga shoqet e ekipit mund ta mbajë të gjithë peshën e trupit të saj me dhëmbë.
Janë rreth 12 të mitura që stërviten në një palestër të kryeqytetit të Mongolise, Ulan Bator, për t’u kthyer në gjimnaste që punojnë për zhdërvjelltësi maksimale të trupit, gjë që sipas vendasve mori rëndësi të madhe në kohën e lordit të luftës së shekullit të XIII, njëkohësisht hero kombëtar i vendit, Xhingis Kan.
Disiplina e preferuar më së shumti nga femrat përfshin tërheqjen e trupit në pozicione që sfidojnë natyrën njerëzore. Edhe pse duken të lehta, lëvizjet e vajzave janë rezultat i muajve të tërë stërvitjeje torturuese, që nis me ushtrime “Streching”-u. Kësaj rruge, Suvd-Erdene i hyri kur ishte vetëm 6 vjeç.
“Qava shumë në fillim kur mësuesi më vuri të bëja ushtrimet e ‘Stretching’-ut. Atëherë u ndieva keq dhe mendova se nuk do t’ia dilja dot”, tha Suvd-Erdene, gjimnaste, transmeton tch.
Vajzave u bëhen lëshime me orarin e mësimit për të kapur trenin që i çon në palestrën, ku i pret 22-vjeçarja Urangoo, ndjekëse e kësaj tradite, ashtu si gjyshja dhe nëna e saj. Gjimnastet mongoleze që ushtrohen kësisoj me trupin janë shumë të kërkuara dhe mund të kenë një karrierë të jashtëzakonshme ndërkombëtare, nëse kanë fatin të kërkohen nga trupa me famë botërore, si “Cirque du Soleil”.