Policia amerikane ka vrarë një afrikano-amerikan të paarmatosur, derisa e gjithë kjo ngjarje e tmerrshme është filmuar nga kamerat e sigurisë.
Pamjet e momentit kur policia qëllon me armë për vdekje, burrin e paarmatosur me ngjyrë i quajtur Terence Crutcher në Tulsa të Oklahomas, janë publikuar të hënën, transmeton Telegrafi.
Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë të instaluara në veturat e policisë si dhe në helikopterë.
Crutcher 40-vjeç, mund të shihet në video se si qëndron në veturën e parkuar në mes të rrugës, derisa disa policë vërejnë se po ndodhin ‘aktivitete të dyshimta’ brenda veturës që ai po ngiste.
Ata menjëherë ndaluan dhe iu afruan Crutcherit, derisa në ato momente shfaqet edhe një veturë tjetër e policisë e pajisur me kamera.
Ndërkaq në raportin e policisë thuhej se ai ishte drejtuar kah policia duke mos pranuar të ngrit duart lart, por në videon e publikuar shihet se si ai largohet në drejtim të veturës së tij me duart e ngritura lart.
Por duket se kjo nuk i mjaftoi policisë, të cilët fillimisht e neutralizojnë me armë elektrike dhe më pas e qëllojnë me armë për vdekje.
Chuck Jordan, shef i policisë në Tulsa ka pranuar gjatë një konferencë për mediat se Crutcher nuk kishte pasur kurrfarë arme.
Ndërkaq, hetuesit federal janë duke shqyrtuar mundësinë e kallëzimit penal kundër policëve për shkak të vrasjes së burrit me ngjyrë. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=rmIfTEZRBko