Disa fëmijë thjesht ëndërrojnë të punojnë në ndërtimtari dhe frymëzohen nga personazhi i filmit të animuar “Bob ndërtuesi”, derisa tjerët preferojnë të gërmojnë si ky djalosh nga Kina.
Ky fëmijë është parë duke manovruar me ekskavator me një precizitet të paparë, derisa banorët e provincës Hubei në Kinë janë të mahnitur me aftësitë e këtij djaloshi, transmeton Telegrafi.
Një video e publikuar në internet, shfaq vogëlushin 4-vjeç duke ngasur makinerinë e rëndë të cilën e drejton herë në të majtë e herë në të djathtë.
Në videon e shpërndarë nga Pear Video, thuhet se vogëlushi quhet Chen Junyu.
Prindërit e tij u kanë thënë gazetarëve se Junyu është adhurues i flaktë i gërmimeve. Ai vazhdimisht luan me lodrat e tij ekskavator.
Por këtë talent duket se e ka trashëguar nga i ati që punë si shofer ekskavatori në Hubei, i cili thotë se për asnjë moment nuk ishte munduar t’ia imponojë vogëlushit këtë profesion. /Telegrafi/