Një studiues i Microsoft-it bëri me sukses GPT-4V të aftë për të luajtur DOOM, por pas kësaj ai lëshoi një paralajmërim.
Adrian Devinter, i cili është një studiues dhe shkencëtar i Microsoft-it në Universitetin e York, publikoi një punim kërkimor, të titulluar “A do të ekzekutojë GPT-4 DOOM?”.
Me pak fjalë, vetëm ChatGPT nuk mund të ekzekutojë DOOM, sepse ky model i madh i Inteligjencës Artificiale (AI) nuk mund të nisë drejtpërdrejt ekzekutuesin DOOM. Sidoqoftë, varianti i tij multimodal, GPT-4V ose GPT-4 me Vision, është një model i krijuar për të përdorur imazhe dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth tyre. Ky model është i aftë të funksionojë si “proxy motor”.
“GPT-4 mund të luajë DOOM në një nivel të kalueshëm. E kalueshme këtu do të thotë se bën atë që duhet, por nuk e di se gjyshja ime luan DOOM më mirë se ky model. Është interesante që proceset dhe skemat më komplekse të çojnë në rezultate më të mira”, thotë Devinter.
Rezultati i eksperimentit është një bot i fuqizuar me AI që mund të hapë dyert, të luftojë armiqtë, të gjuajë armë dhe të kryejë udhëzime që përmirësojnë performancën e tij.
Problemet me të cilat përballet AI janë mungesa e qëndrueshmërisë së objektit ose aftësia për të kujtuar se ku ndodhen objektet ose armiqtë e caktuar. Kur zombi në lojë largohet nga ekrani, AI menjëherë e harron atë dhe kalon te elementët e tjerë të lojës.
Edhe pse modeli i AI luan dobët DOOM, Devinter thotë se është e mahnitshme që GPT-4 është në gjendje të arrijë këtë nivel ndërveprimi me DOOM, pa trajnim paraprak.
Studiuesi thotë se procesi i tij mund të ketë aplikime në testimin e automatizuar të lojërave video, por paralajmëron se modeli nuk është plotësisht i vetëdijshëm për atë që po bën. Sipas tij, është e mundur të automatizohen të paktën disa pjesë të testimit të lojës nga një model i madh AI.