Disa pamje nga ajri thuhet se tregojnë “lindjen shpërthyese të një ishulli të ri” në Oqeanin Paqësor.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ishulli është rezultat i një shpërthimi të madh vullkanik nënujor, i cili bëri magmën të derdhej në oqean dhe shkaktoi shpërthime masive të avullit të mbinxehur.
Shkëmbinjtë dhe llava u hodhën rreth 50 metra në ajër nga forca e shpërthimit ndërsa magma u ftoh dhe u ngurtësua gjysmë milje nga bregu i ishullit japonez të Iwo Jima.
Fillimisht, siç raportojnë mediat, atje u zbuluan shenjat e një shpërthimi në skajin jugor të Hendekut Izu-Ogasawara, 750 milje (1200 km) në jug të Tokios, më 30 tetor.
Ekspertët thonë se ishulli, i cili është rreth 100 metra në diametër, ka të ngjarë të bëhet i përhershëm apo edhe të bashkohet me Iwo Jima aty pranë nëse shpërthimi vazhdon.
Shkencëtarët fillimisht u bënë të vetëdijshëm se shpërthimi mund të vinte më 21 tetor kur dridhjet vullkanike filluan të ndjeheshin çdo dy minuta.
Dhe ndërsa ishulli i ri mund të duket i vogël, ai është pjesë e një vullkani nënujor me diametër 40 kilometra në bazën e tij dhe rreth 2 kilometra i gjatë. /Telegrafi/