– Duke shikuar emisionin në RTK “10 Minuta”, të emetuar më 10 mars 2010, me autor N.Kastrati –
Shihet qartë (mos)profilizimi i partive politike!
Në emisionin tashmë të rregullt të RTK-së ,”10 Minuta”, të emetuar më datën 10 mars 2010 dhe me autor N.Kastrati, patëm rastin të dëgjojmë debatin në mes të dy udhëheqësve të lartë të partive politike të Kosovës. Në studio ishin Gani Geci, deputet i LDD-së dhe Ernest Luma, udhëheqës i lartë i AAK-së. Tema bosht në këtë emision kishte të bëjë me dukurinë e lëvizjes së anëtarëve të partive politike nga njëra parti në tjetrën. Kjo dukuri e ikjes nga partitë sikur është bërë modë e ditës, madje edhe me konotacione të një show (sic!).
Për çudinë tonë, i tërë emisioni iu kushtua Hysen Gërvallës, i cili e paskësh lanë LDK-në dhe paskësh kaluar në AAK-në. Debati për këtë fenomen që për mendimin tonë as që është dashur të debatohej në një emision televiziv publik, kur dihet se Kosova ka sot probleme më të rëndësishme që vlejnë për debatin institucional dhe qytetarë.
Duhet theksuar se të dy mysafirët e ftuar Geci dhe Luma, nuk kanë thënë asgjë më shumë se sa për faktin se në çfarë rrafshi politik e kombëtar po veprojnë sot partitë politike në Kosovë. Për dhjetë minuta u fol vetëm për një njeri, që është e drejtë me marrë udhë partiake kah të dojë. Në mjediset pluraliste dhe me përvojën parlamentare e demokratike, për rastin e ikjes nga njëra parti të tjetrën as që do të zihej në gojë. Kjo nuk ka rëndësi as për ne në Kosovë se kush nga është nisur dhe kah po shkon(!).
Duke përfunduar, po theksojmë se shikimi këndej ekranit të RTK-së, tregon qartë për (mos)profilizimin e partive politike në Kosovë. Fundja, si pyetje qytetare deputetit G.Geci dhe E.Luma, kur mund të lexojmë Programin Politiko-Kombëtar, të zhvillimit ekonomik dhe të fushave tjera të jetës në shtetin e ri, që aq shumë (vetëm) po kritikoni pozitën dhe asnjëherë nuk e pamë Programin e partisë tuaj (alternativ) për zgjidhjen e problemeve!
Me luftën e mendimeve, me ide pluraliste dhe programe atraktive, besojmë se mund të bëjmë më shumë për shtetin e Kosovës. Koha nuk pret, hajde të marrim udhën e së mbarës!
(Autori është drejtor ekzekutiv i SHSHA-së në Çikago)