Nuk ishte hera e parë që takoja Kadri Veselin, shefin e SHIK-ut, por doli të ishte e fundit. Dhe fjalët e tij, të fundit për mua, ishin: “Ne mezi i bëmë bashkë Agim Zatriqin dhe Adem Demaçin, ndërsa ti po don me na i nda”. Dialogu ndodhi në Hotelin Grand, dikur në fund të nëntorit të vitit 2002. Pas një jave, do të largohesha nga RTK.
Shumë njerëz po pyeten për SHIK-un (Shërbimin Informativ të Kosovës) e PDK-së, sidomos gjatë këtyre muajve. Një mori perceptimesh që lidhen me SHIK-un jepen në kuadër të ligjshmërisë ose jo të veprimit të këtij organizimi. Ky perceptim, tashmë i shndërruar në kërkesë zyrtare parlamentare nga Burim Ramadani (AAK) është gjest i mirë. Por, të jeni të sigurt që kërkesa e tillë shfaqet qesharake nga vet pjesëtarët e SHIK-ut kur kihet parasysh veprimtaria e kësaj organizate në Kosovë (nuk dua të paragjykojë e as të ironizojë por kjo është njëjtë sikurse të pyesësh hajnin nëse veprimi i tij ishte i ligjshëm ose jo). Natyrisht, kërkesa për veprimtarinë e ligjshme të SHIK-ut shtrohet si rezultat i deklarimit nga kreu i saj që veprimtaria e kësaj organizate ishte legale në kuadër të rrethanave në të cilat vepronte.
Por, çfarë lidhje ka SHIK-u me RTK-në? Të gjitha. Sepse rritja, zhvillimi dhe përvetësimi i pushtetit (de jure – de fakto) nga ana e SHIK-ut nis në RTK. Dhe kjo nuk është diçka sensacionale. E tërë kjo e ka zanafillën në instalimin e perceptimit publik se UÇK e çliroi Kosovën. Nuk ka asgjë të keqe në këtë perceptim, por është veprimi që vjen pas krijimit dhe përhapjes së kësaj ideje, që më vonë dhe sot e kësaj dite, funksionon si ideologji për veprimtari politike, ose më saktë, tentim-themel për ndërtimin e shtetit.
Këta muaj, sidomos pas raportit të europarlamentarit Dik Marti, si dhe pas kritikave vendore e ndërkombëtare kundër Qeverisë për korrupsion, jemi dëshmitarë që Radiotelevizioni i Kosovës, pra RTK, si asnjëherë më përpara në këto dhjetë vjet, po transmeton lajme, kronika e dokumentare për “çlirimtarët” e Kosovës nën emblemën e UÇK-së.
Në këtë mënyrë, RTK po thotë që këtu ka pasur njerëz që kanë luftuar për Kosovë, në të njëjtën kohë, në mënyrë të tërthortë duke na thënë që këtejpari ka pasur njerëz që nuk kanë luftuar për Kosovë. Dhe atyre që kanë luftuar për Kosovë, që zakonisht po dalin pjesëtarë të SHIK-ut dhe të PDK-së në pushtet, i takon historia dhe krejt Qeveria. Dhe, po e përsërisë, kjo është ajo ideologji që është kthyer në veprimtari politike ose në themele për ndërtimin e shtetit, pra në sistem qeverisës.
Por, kjo ideologji nuk është e lehtë për t’u gëlltitur. Sepse, përveç shumë gjërash, në këtë mënyrë, po normalizohet 12 dhjetori i vitit 2010, ditën kur u vodh vota, u vodh pushteti dhe përfundimisht u rrëzuan themelet e demokracisë si sistem politik-qeverisës.
Aspektet e kësaj ideologjie, që vijnë në formë të propagandës, pastaj i hasim edhe në formë psikologjie por individuale. Rasti konkret i kësaj (për studim socio-psikik) është një debat i këtyre ditëve në njërën nga kanalet televizive, ku, pas kritikave që në Kosovë ka mungesë të zhvillimit ekonomik dhe mospërfillje të ligjit për shkak të veprimtarisë së SHIK-ut, i ashtuquajturi “Kamishi” (emri i të cilit s’është me rëndësi), deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës (sa për të përmendur) individualizoi “muhabetin” duke i përfshirë anëtarët e familjes së tij duke deklaruar që krejt këta na paskan luftuar për Kosovë. Tashti vjen pyetja: çfarë lidhje ka UÇK me korrupsionin, pra moszhvillimin ekonomik dhe mospërfilljen e ligjit?
Përfshirja e SHIK-ut në RTK e jep përgjigjen, e sqaron atë që quhet “fotografia e madhe”. Tërë këto lajme, emisione, kronika e dokumentare të përnatshme e të përditshme për disa nga pjesëtarët e UÇK-së, nuk janë aty rastësisht. “Unë, dhe familja ime, kemi luftuar për Kosovën. Nëse s’më besoni, shikojeni RTK-në.” Kështu diçka deklaron gati secili individ që del e flet në emër të luftës sa herë që hapet tema e krimit dhe e korrupsionit në Kosovë. Dhe kjo “luftë”, pra UÇK, është shndërruar në mbulesë propaganduese që po përdoret për arsyetimin e secilës veprimtari.
Në këtë mënyrë, kjo ideologji, në gjithë këto vite, vendosi monopol mbi zhvillimin e mediave, sidomos televizive. RTV21 na shfaqte seriale latino-amerikane, KTV nuk kishte “identitet televiziv” por që tërë kohën i përçonte deklarimet e jo veprimet politike të LDK-së, ndërsa që RTK ishte në pozicion asnjërës, herë me LDK-në (në politikë) e herë me PDK-në (në biznes).
Në këtë kuadër pastaj u ndërtua edhe secili ligj që ndërlidhej drejtpërdrejt ose tërthorazi me zhvillimin e mediave. Dua të them, mediat në Kosovë janë ashtu çfarë janë dhe se shoqëria e Kosovës nuk mund të zgjedhë. Ne mund të jemi të kënaqur ose të pakënaqur me to, por asgjë nuk ndryshon. Infrastruktura e mediave, sidomos televizive, nuk u zhvillua sepse, me gjasë, çdo risi, çdo televizion i ri, kishte mundësi të ofronte “ideologji” tjetër, pra pikëvështrim tjetër mbi shoqërinë. Rasti konkret ishte kanali medial televiziv “Rrokum TV”, ku, veç tjerash, mysafirët-analistët-publicistët flisnin me perceptime të dallueshme nga ato që “ishim rritur” duke i dëgjuar e lexuar, përveç se me një gjuhë tjetër. Dhe kjo, po e përsërisë, shkonte ndesh me “ideologjinë çlirimtare” të instaluar. Bile, gjykuar sipas ligjeve dhe KPM-së, kjo ishte edhe kundër “rregullave të lojës”. Sot, si rezultat, “Rrokum TV” është kanal televiziv i sakatosur.
Po e përsërisë. Televizionet e Kosovës janë ndërtuar mbi “ideologjinë çlirimtare”. Rrjedhimisht, Komisioni i Pavarur për Media (KPM) është themeluar për të mbrojtur këtë ideologji edhe me ligje e rregullore. Në anën tjetër, lufta për të shpërthyer këtë kufi do të ketë efektin dhe ndikimin e njëjtë sikurse lufta në Koshare. Por, caku nuk duhet të jetë KPM-ja, por ideologjia mbi të cilën është ndërtuar tregu medial në Kosovë. Në KPM ndoshta mund të ndërrohen anëtarët, por diçka tjetër jo.
Dallueshmëria. Kjo është “ideologjia” mbi të cilën kanalet e tjera televizive duhet ta ndërtojnë dhe zhvillojnë luftën për të drejtat e tyre që, në fakt, janë të drejtat e zhvillimit të një shoqërie.