Telegrafi

Shijojeni golin e Leo Messit me pamje nga ajri, saktësia e goditjes është e jashtëzakonshme që vetëm ai di ta bëjë

Lionel Messi shkëlqeu në ndeshjen e rëndësishëm të Argjentinës së tij kundër Meksikës në raundin e dytë të fazës së grupeve të Kupës së Botës në Katar.

Argjentina pati vështirësi thuajse gjatë gjithë ndeshjes dhe dukej se do të ishte e vështirë të merrte pikë ndaj Meksikës së mirë organizuar në mbrojtje.

Por në minutën e 64-të në skenë ka hyrë Messi, duke shfaqur gjithë talentin e tij.

Ishte një sulm i gjatë nga Argjentina, dhe në kulmin e këtij sulmi, Di Maria depërtoi në krahun e djathtë dhe më pas pasoi te Messi që ishte i vetmuar, i cili ‘u harrua’ për një moment nga meksikanët.

Harresa e meksikanëve, bëri që një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave, të gjuajë nga rreth 20 metra, nga ku portieri i Meksikës, Guilermo Ochoa thjesht nuk mundi ta ndalojë.

Në rrjetet sociale është shfaqur edhe një video nga ajri që tregon në mënyrë perfekte dhe saktësinë e pastër të goditjes së Messit, magjinë që e bën atë të adhuruar nga miliona në mbarë botën.

 

Meqë ra fjala, Argjentina fitoi 2-0, pasi Fernanadez shënoi golin e dytë. /Telegrafi/