Për të gjashtin vit me radhë në periudhën e vjeshtës që uji në Tetovë ka shije dhe erë të pazakontë, por analizat fillestare tregojnë se është i sigurt për t’u pirë.
Ky fenomen u konstatua për herë të parë në vitin 2017 kur Qendra e Shëndetit Publik konstatoi se aroma dhe shija e pakëndshme vjen nga bimësia, kryesisht nga gjethet e pemëve që bien nga ujërat e lumit të zonës së Leshnicës, ku uji merret në sistemin e ri të furnizimit me ujë.
“Analizat fillestare janë të mira dhe uji është i sigurt për t’u pirë. Bakteriologjikisht dhe kimiko-fizikisht uji është i pijshëm edhe tani, nëse qytetarët nuk e duan ujin e tillë, të mos e përdorin në ditët në vijim. Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se aroma dhe shija e pazakontë do të zhduket pas disa ditësh”, deklaroi Ratko Davidovski nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë.
Ai tha se qendra kontrollon çdo ditë cilësinë e ujit në ujësjellësin e qytetit. Në vitet e kaluara kjo dukuri është kapërcyer edhe me klorinim të shtuar.
“Ujësjellësi i Tetovës për momentin ka rreth 300 litra ujë në sekondë, prej të cilave 200 nga i vjetri dhe 100 litra nga ujësjellësi i ri. Ujësjellësi i ri mund të fiket, por do të ketë sasi të pamjaftueshme të ujit”, tha Davidovski./Telegrafi/