Site icon Telegrafi

A shihni edhe ju gurë në këtë foto? Jo, kjo është një bimë!

Lithops-et janë një mrekulli e vërtetë e natyrës – ato përshtaten aq mirë në mjedis, saqë edhe njohës të mirë të specieve e kanë të vështirë t’i dallojnë

Supozohet se ekzistojnë 37 specie të kësaj bime dhe rreth 145 lloje.

Kjo bimë, lartësia e së cilës nuk i kalon pesë centimetra, ka një rrënjë shumë të fortë, me një pjesë të palëvizshme që drunoset me kalimin e kohës, transmeton Telegrafi.

Disa gjethe të trasha, të shkrira me një pjesë të sipërme të rrafshuar, kanë ngjyrë kafeje, bakri, jeshile, gri, madje edhe vjollcë, ndërsa struktura (brazdat dhe vijat), u përshtatet në mënyrë të përsosur me mjedisin dhe vepron si “gur i gjallë”.

Farat më parë duhet të mbillen nëpër një sipërfaqe të lagur me substrat për kaktuse, duhet t’i hidhet pak rërë, pastaj të mbulohen me xham apo folie.

Sapo bimët mbijnë (atëherë kanë madhësinë e një koke gjilpëre), zbulohen dhe trajtohen menjëherë me një fungicid dhe për një vit ose dy të ardhshëm, nevojitet spërkatje e rregullt derisa të arrijnë madhësinë e një bime të rritur.

Kjo specie pëlqen ujitje shumë të rrallë, por të bollshme, sepse në habitatin e tyre natyror nuk bie shi për disa muaj.

Gjatë periudhës së qetësisë, nga nëntori deri në mars, lithops-et janë në letargji dhe më pas nuk u shtohet ujë fare, dhe gjethet e vjetra thahen. Ato nuk duhet të këputen sepse bima tërheq ujë në atë mënyrë derisa të dalin një palë gjethe të reja nga mesi, dhe pastaj fillon të ujitet përsëri, por me shumë kujdes, sepse në rast të ujit të tepërt, rrënja fillon të kalbet.

Nga shtatori deri në nëntor, bima vazhdon të rritet, në fund të vjeshtës hedh lulet që mbeten në gjethe për dhjetë ditë, dhe në vend të tyre, formohen bishtajat e farës, për hapjen e të cilave shiu është i nevojshëm në natyrë, kështu që ato duhet të ujiten.

Nëse rriten si rregull, lithops-et janë jashtëzakonisht jetëgjatë.

/Telegrafi/

Exit mobile version