Në fshatin Arllat të Komunës së Drenasit, saktësisht në rrugën Agim Qela magjistralja Drenas-Malishevë, viteve të fundit kanë ndodhur aksidente të shumta si pasojë e mos rregullimit të duhur të kësaj rruge.
Ndonëse pati shumë aksidente të cilat kanë përfunduar edhe me humbje jetësh e nga banorët janë bërë ankesa të shumta në komunë, akoma nuk është ndërmarrë asgjë për parandalimin e këtyre problemeve, transmeton Telegrafi.
Mungesa e ndriçimit, rruga në formë rrumbullake në të cilën s’ka as tabelë që informon për rreziqet, dhe fakti që është zonë e banuar i’a shtojnë rrezikun rrugës.
Sipas Blerim Gashit, banor në këtë zonë kjo rrugë po u rrezikon jetën e njerëzve që kalojnë atë pjesë.
“Shqetësim i yni permanent është rrezikimi i jetrave të njerëzve këtu nga aksidentet të cilat janë të shpeshta sidomos në stinën e dimrit. Në lidhje me këtë çështje ne kemi dërguar ankesa në institucione relevante, e kemi kontaktua komunën por komuna e ka hedhë fajin te ministria e infrastrukturës dhe anasjelltas. Gjithsesi ne shpresojmë që të bëhet diçka me këtë rrugë sepse po kemi telashe, si në përditshmëri e në gjithçka”, tha Gashi për Telegrafin.
Nga komuna e Drenasit në Drejtorinë për Infrastrukturë Lokale, për Telegrafin thanë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga banorët dhe se kjo rrugë është regjionale dhe si e tillë nuk është në kompetencat e komunës.
“Kjo rrugë është regjionale e cila menaxhohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe ne si komunë nuk mund të ndërmarrim asnjë veprim ne rregullimin e infrastrukturës meqenëse nuk menaxhohet nga ne. MMPHI ka mirëmbajtjen e rrugëve regjionale e cila është e informuar për problemet te cilat paraqiten në këtë segment rrugor te cilat menaxhohen nga kjo ministri. Ne Drejtorin e infrastrukturë Publike, Komuna Drenas nuk ka pranuar asnjë ankesa nga banoret e fshatit Arllat lidhur me problemet te cilat paraqiten në ketë segment rrugor” u shpreh Vlora Gjinofci-Mjekiqi, Udhëheqëse e Sektorit të Ndërtimit në Drenas.
Ndërsa sipas statistikave nga Policia e Kosovës, në pesë vitet e fundit shifrat e aksidenteve në po atë rrugë janë të larta.
Në rrugën “Agim Qela”, konkretisht në Arllat, në zonën që e mbulojmë njësitet e Rajonit të Prishtinës janë raportuar aksidentet e poshtëshënuara:
Në vitin 2019 gjithsej 6 aksidente, në vitin 2020 gjithsej 7 aksidente, në vitin 2021 gjithsej 11 aksidente ( njëri prej tyre me pasoja fatale ), në vitin 2022 gjithsej 8 aksidente ( njëri prej tyre me pasoja fatale ), në vitin 2023 gjithsej 13 aksidente ( njëri prej tyre me pasoja fatale ), sa i përket vitit 2024 njësitë nuk kanë pranuar asnjë aksident.
Ndryshe Telegrafi ka kontaktuar edhe në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por nuk pati përgjigje nga ata./Telegrafi/