Telegrafi

Shifra alarmante në SHBA – mbi një milion raste me coronavirus brenda 24 orëve

SHBA ka regjistruar më shumë se një milion raste të reja me COVID-19, ku zyrtarët paralajmërojnë përkeqësim të gjendjes pas shfaqjes së variantit më përhapës të Omicronit.

Një rekord prej 1,080,211 rastesh u raportua të hënën – raporti më i lartë njëditor i rasteve të reja kudo në botë, sipas Universitetit Johns Hopkins. Varianti Omicron përbën shumicën e rasteve në SHBA.

Këshilltari kryesor i pandemisë në SHBA, Anthony Fauci, ka thënë se vendi po përballet me një “rritje pothuajse vertikale” të rasteve. Ai tha se kulmi ende nuk është arritur në Shtetet e Bashkuara, raporton bbc.

Fauci tha se shembulli i Afrikës së Jugut – ku Omicron së pari u përhap me shpejtësi përpara se të qetësohej – ofronte disa shpresa.

Shkalla e vdekjeve dhe pranimeve në spitale në SHBA kanë qenë shumë më të ulëta në javët e fundit sesa në rritjet e mëparshme të infeksioneve.

Rreth 8,652 njerëz raportohet të kenë vdekur nga sëmundja në javën e kaluar. Rekordi i mëparshëm i rasteve në SHBA ishte 590 mijë, i cili ishte raportuar katër ditë më parë. /Telegrafi/