Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me eurodeputetin Andreas Shider, bashkëkryesuesin e Komitetit të Përzier Parlamentar Republika e Maqedonisë së Veriut dhe BE dhe pjesë e tre eurodeputetëve të ngarkuar për Dialogun Zhan Mone.
“Xhaferi shprehu kënaqësi për mundësinë e takimit me prezencë fizike, duke e marrë parasysh faktin se pandemia e pamundësoi realizimin e aktiviteteve paraprakisht të parashikuara, duke drejtuar njëherazi falënderim për kontributin e tij të deritanishëm në avancimin e dialogut politik në Kuvend në suazat e Dialogut Zhan Mone. E përshëndeti edhe drejtoreshën e Zyrës së Fondacionit Fridrih Ebert në Republikën e Maqedonisë së Veriut, znj. Eva Elerajt, për avancimin e proceseve demokratike në shoqërinë tonë dhe të procesit të aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, thuhet në kumtesë.
Ai i informoi të pranishmit për procesin e vaksinimit, për aktivitetet rrjedhëse të Kuvendit me Parlamentin Evropian dhe për konsultimet e brendshme për Dialogun Zhan Mone, ndërmjet përfaqësuesve të partive politike të përfaqësuara në Kuvend. Me këtë rast, e përshëndeti edhe bashkëpunimin me Parlamentin Evropian i cili edhe në kohë të pandemisë zhvillohet me intensitet të pazvogëluar, që paraqet sinjal të qartë të mbështetjes së perspektivës evropiane të vendit.
“Kryetari Xhaferi e përshëndeti Rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian për progresin e vendit, duke theksuar se Kuvendi do të vazhdojë të mirëmbajë të arriturën dhe të synojë t’i tejkalojë çështjet për të cilat nevojiten reforma plotësuese”, theksohet në kumtesë.
Nga ana tjetër, eurodeputeti Shider nënvizoi se mbajtja e takimeve fizike ndërmjet parlamentarëve është e domosdoshme për demokracinë parlamentare dhe shprehu shpresë se në gjysmën e dytë të vitit, takimet do të mund të zhvillohen në mënyrë të papenguar si edhe më parë. Ai e përshëndeti shpërndarjen e vaksinave në kuadër të sistemit Kovaks, me sugjerim se i njëjti duhej të jetë pjesë e pakos fillestare të Unionit.
“Në drejtim të ngecjes në procesin eurointegrues për shkak të çështjes me Republikën e Bullgarisë, z. Shider sugjeroi se është në kundërshtim me frymën evropiane dhe se nuk duhet të paraqesë pengesë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për fillimin e negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se qarkullimi i non-pejperëve në qarqet evropiane, me paraqitjen e argumenteve dhe koncepteve të gabuara për rikrijimin e kufijve të Ballkanit Perëndimor i cili ishte dëshmitar i trazirave para disa dekadave, duhet të hasë në gjykim të ashpër në opinion dhe se Bashkimi Evropian doemos menjëherë të reagojë dhe të ofrojë udhërrëfyes konkret për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin e tyre evropian”, thuhet në kumtesën.