Telegrafi

SHGM: Reformat në mediume do ta përmirësojnë ndjeshëm gjendjen e lirisë së shprehjes

Ashtu siç paralajmëroi, kryetari i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Naser Selmani, mbajti konferencën për shtyp para burgut në Shuto Orizare ku ndodhet i burgosur gazetari Zoran Bozhinovski. Ai ka folur për lirinë e mediave, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Para gazetarëve, Selmani tha se akuzat ndaj gazetarit Zoran Bozhinovski janë të pabaza. Më tej, Selmani deklaroi se Bozhinovski është fajtor vetëm për një gjë, për guximin e tij që të shkruaj për shëmtinë e pushtetit, gënjeshtrat, krimin dhe amoralitetin.

Naser Selmani theksoi se gazetarët në Maqedoni burgose, rrihen, frikësohen, përgjohen, etiketohen dhe diskreditohen për të mos folur për keqpërdorimet e pushtetit, ndërkaq mediumet, për shkak të korrupsioni, u bënë maqineri propagandistike e pushtetit për manipulim të qytetarëve.

Ai shtoi se pushteti këmbëngulë në kundërshtimin e reformave në mediume që do ta përmirësonin ndjeshëm gjendjen e lirisë së shprehjes, duke kërkuar që ky pushtet të ndalojë me dhunën ndaj gazetarëve, ndërkaq dhunuesit të dënohen ashpër./Telegrafi/