Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) përmes një kumtese për media ka dënuar sjelljen e ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ndaj gazetares Millka Smilevska, i cili në pyetjen e gazetares Smilevska për atë se si është punësuar motra e tij pikërisht në periudhën kur ai është bërë ministër, Bekteshi u përgjigj me pyetje: pse gazetarët punojnë në mediat ku tani punojnë, e jo në ndonjë medium tjetër?
“Kujtojmë ministrin Bekteshi, por edhe ministrat tjerë në Qeveri se gazetarët janë zëri i opinionit dhe puna e tyre kryesore është të hetojnë dhe të parashtrojnë pyetje që janë në interes të publikut, ndërsa ministrat kanë për detyrë të përgjigjen në ato pyetje”.
“Kjo posaçërisht vlen në raste ku ekzistojnë dyshime për shpërdorim të pushtetit nga ana e funksionarëve publik. Ky nuk është rasti i parë i sjelljes joadekuate të ministrave të kësaj qeverie”, thuhet në njoftimin e SHGM-së.
Ata thonë se kanë reaguar edhe për etiketimet dhe trysninë mbi gazetarët nga ana e ministrave të tjerë të kësaj qeverie.
“I bëjmë thirrje kryeministrit Zaev të bisedojë seriozisht me ministrat e tij sepse deklaratat dhe sjelljet e tilla janë të papërshtatshme dhe cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë lirinë e mediave dhe lirinë e të shprehurit”, përfundojnë nga SHGM./Telegrafi/