Telegrafi

ShGM: Kërkojmë përgjegjësi penale për kërcënimet eksplicite ndaj gazetares së Alsat-M

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) kërkon reagim të menjëhershëm ndaj kërcënimeve eksplicite të drejtuara ndaj gazetares së ALSAT-M, Rita Behadini në postimin e saj lidhur me qëndrimin e një hoxhe nga Saraji në rrjetin social Facebook.

Kolegia Behadini i është drejtuar sot SHGM-së me denoncim se gjatë ditëve të fundit është pre e kërcënimeve nga persona me profile në rrjetin social Facebook, por njëra bie më shumë në sy pasi ka kërcënim eksplicit.

Në postimin e një profili të emëruar si Fisnik Hoxha shkruan kërcënimi në vijim:

“O fshije postin qe ke shkru kundër hoxhës Omer se familjen np*** de ta q* o rita. Maje men se nesër det vi para alsatit o veshin kom me ta pre nthik . Maje men”, dhe e njëjta paraqet thirrje të drejtpërdrejtë për dhunë fizike ndaj gazetares Behadini me çka kërcënohet siguria e saj, dhe potencialisht edhe siguria e kolegëve të tjerë nga kjo medie.

Ky kërcënim i qartë për jetën ndaj gazetares Behadini është raportuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) në Departamentin e Krimeve Kompjuterike dhe Forenzikës Digjitale dhe në të njëjtën kohë SHGM do të insistojë për një hetim të shpejtë dhe efikas në interes të gjetjes dhe sanksionimit të autorit apo autorëve të këtij kërcënimi.

Theksojmë se kërcënimi me jetë është krim i përfshirë në Kodin Penal, dhe për autorët parashikohet dënim me burg. Prandaj, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike duhet menjëherë t’i hetojnë dhe procedojnë me qëllim ndëshkimin e shkelësve të ligjit, por edhe parandalimin e krimeve të tilla të mundshme në të ardhmen.

Për këtë lloj kërcënimesh, SHGM-ja këtë vit nxori një Protokoll për Sigurinë e Gazetareve Femra në internet, i cili ofron hapa praktik që gazetarët duhet të ndërmarrin kur janë pre e kërcënimeve përmes rrjeteve sociale dhe në përgjithësi në internet, përmes përfshirjes proaktive të Ministrisë së Punëve të Brendshme në mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të medias, me fokus të veçantë gazetaret femra.