Me iniciativë të SHGM-së, në Klubin e gazetarëve u realizua takim në të cilin morrën pjesë përfaqësues të shtypit të shkruar: javoret Fokus dhe Kapitall, gazetat ditore Lajm, Koha, Nova Makedonija, Slloboden Peçat dhe Makedonski Sport, të gjithë anëtarë të SHGM-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në këtë takim u diskutua për praktikat më të mira për subvencionim të shtypit të shkruar në rajon dhe më gjërë.
Kjo është temë e inicuar nga SHGM-ja si përgjigje për problemet me të cilat ballafaqohen mediat e shtypit si pasojë e paraqitjes së internetit dhe rrjeteve sociale që janë kërcënim direkt për ekzistencën e tyre.
‘Ne gjithmonë kemi kundërshtuar përzierjen e qeverive në financimin direkt të mediave, duke pasur parasysh se kjo mund të ndikojë në tregun e mediave dhe në politikat e redaktimit. Mirëpo, forma të ndryshe të subvencionimit të mediave më të prekura në mënyrë të qartë dhe transparente janë shembuj që shihen në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian dhe kjo është plotësisht e pranueshme për ne’, deklarojnë nga SHGM-ja.
Pjesëmarrësit në takim kanë kërkuar që takimet e rradhës të mbahen nën patronazhin e Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë (MSHIA) si institucioni përkatës për politikat e mediave në Republikën e Maqedonisë. Në lidhje me këtë, SHGM-ja ka dërguar kërkesë me shkrim deri te MSHIA, në të cilin kërkohet formimi i grupit të ekspertëve në kuadër të MSHIA-së, ku përveç përfaqësuesve të SHGM-së duhet të marrin pjesë edhe shërbimet profesionale të vetë ministrisë./Telegrafi/