Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin e saj për vendimin e pushtetit serb për ekstradimin e gazetarit të Maqedonisë, Zoran Bozhinovski, i akuzuar për konspiracion, spiunazh dhe shantazh, transmeton Telegrafi Maqedoni.
SHGM-ja beson se vendimi i menjëhershëm për ekstradimin e Bozhinovskit është i motivuar politikisht dhe do të shkaktojë dëm serioz mbi lirinë e mediave, jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjërë në rajon.
Sipas kësaj shoqate, Serbia me plotë vetëdije e ekspozon gazetarin Bozhinovski në rrezik të panevojshëm, edhepse organet serbe kanë qenë të informuara për kërcënimet ndaj gazetarit, që i janë bërë nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit në Maqedoni. Prandaj, SHGM-thotë se qeveria serbe do të mbajë përgjegjësi, nëse gazetari Bozhinovski do të keqtrajtohet.
SHGM-ja i ka siguruar ndihmë juridike gazetarit në fjalë dhe ka kërkuar nga zyra e Avokatit të Popullit që ta vizitojnë në burg Zoran Bozhinovskin./Telegrafi/