Site icon Telegrafi

SHGM: Gazetarët dhe prezantuesit nuk guxojnë të marrin pjesë në mbledhjet partiake

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) përmes një kumtese për media i bën thirrje Radio Televizionit të Maqedonisë të hetojë rastin ku gazetarja e tyre Gordana Gjorçeva, më rastin e 18-vjetorit të Unionit të grave të OBRM-PDUKM-së, u paraqit në rol të prezantueses.

SHGM beson se me këtë angazhman kolegja Gordana Gjorçeva ka shkelur Kodin Zgjedhor, sipas të cilit në nenin 76-v thuhet se: “Kryeredaktorët, gazetarët, prezantuesit e programit, të angazhuar në përgatitjen e programit të radiodifuzerëve, nuk guxojnë të marrin pjesë në aktivitete parazgjedhore të partive politike, koalitave, grupeve zgjedhore dhe përfaqësuesit e tyre, ose pjesëmarrësve në fushata zgjedhore.”

Në Kodin Zgjedhor është parashikuar edhe përmasë nëse gazetari vendos të merr pjesë në mbledhje partiake dhe ai thotë: “Nëse vendosin të marrin pjesë në aktivitete të tilla, angazhmani i tyre në programet e radiodifuzerëve iu pushon duke filluar nga dita kur caktohen zgjedhjet e deri në mbarimin e tyre.”

“Gazetarja Gjorçeva jo vetëm se ka shkelur Kodin Zgjedhor, por ajo ka shkelur edhe kodin etik të Radio Televizionit të Maqedonisë. Gjegjësisht, sipas nenit 41 nga Kodi i RTVM-së: “Gazetari duhet të jetë i besueshëm. Gazetari duhet të jetë profesional dhe etik, dhe i pavarur në kryerjen e punës së tij. Nuk guxon në asnjë mënyrë të shpreh mbështetje për asnjë aktivitet të partive politike”. Më tej në Kodin shkruan se: “Gazetarët në programet informuese të RTVM duhet t’u shmangen shfaqjeve publike politike të cilët janë pashembullore në lidhje me punën që ato kryejnë, ndryshojnë imazhin e tyre në opinion ose zvogëlojnë kredibilitetin e tyre profesional dhe publik”, thuhet në njoftimin e SHGM-së.

Nga SHGM shtojnë se menaxhmenti i servisit publik duhet të merr këtë gjë me seriozitet dhe të merr përmasa për ndaj këtij rasti dhe në të ardhmen të kujdeset që mos të përsëritet një gjë e tillë.

“Njëkohësisht, i bëjmë thirrje Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, si institucion kompetent për këtë rast, të del në opinion me qëndrimin e saj dhe t’u jep udhëzime mediave dhe partive politike”, përfundojnë nga SHGM./Telegrafi/

Exit mobile version