Site icon Telegrafi

SHGM dhe KEMM dënojnë sjelljen e Kreshnik Bekteshit ndaj gazetarëve

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM) dënojnë ashpër qëndrimin e ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili sot, gjatë një konference për media në mënyrë të pahijshme, të ashpër dhe të papranueshme u soll me gazetarët, duke i akuzuar për bashkëpunim.

“Ministri Bekteshi komenton që gazetarja e Televizionit Kanal5 Katerina Kapkoska po parashtronte pyetje në emër të kolegëve të tjerë gazetarë në vend që të përgjigjet në pyetjen konkrete me interes publik. Gjegjësisht, bëhet fjalë për pyetje në lidhje me rritjen e çmimit të gazit natyror, të cilën e ka parashtruar kolegia jonë gjatë konferencës për media në Qeverinë e RMV-së, ftesë të cilës iu përgjigjën mediat me prezencën e tyre, dhe në vend të përgjigjes adekuate për pyetjen e parashtruar, ministri Bekteshi i është përgjigjur në këtë mënyrë gazetares në fjalë: “KENI BASHKËPUNIM JASHTËZAKONISHT TË MIRË ME KOLEGËT, NDAJ JU JAPIN PYETJET E TYRE TË CILAT DUAN TI PARASHTROJNË… POR S’KA PROBLEM…”, thuhet mes tjerash në reagimin e SHGM-së.

Në të njëjtën ngjarje, gazetari Ognen Çançareviq dënon drejtpërdrejt sjelljen e ministrit Bekteshi, për të cilën mori përgjigje nga ai se gazetarët janë këtu për të parashtruar pyetje dhe jo për të dhënë komente.

“Kujtojmë se ky nuk është një rast i izoluar por trend negativ i sjelljes ndaj gazetarëve i cili po shënon rritje. Për këtë arsye, SHGM do të informojë organizatat partnere, duke përfshirë edhe OSBE-në, Federatën Evropiane të Gazetarëve – EFN dhe Këshillin e Evropës. Zyrtarët shtetërorë janë në shërbim të opinionit dhe nuk guxon të ketë mënyrë të tillë komunikimi, e cila është jashtëzakonisht e papërshtatshme, e pahijshme, e pasjellshme dhe fyese për gazetarët, me këtë edhe për gjithë publikun të cilit duhet t’i dërgohet informacioni. Sjellja e papërshtatshme me gazetarët, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në informimin e publikut, mund të dëmtojë besimin e bartësit të postit publik si dhe të institucionit që ata e përfaqësojnë. Kjo mund të ndikojë negativisht si në reputacionin e individit ashtu edhe të organizatës e cila potencialisht sjell pasoja të tilla si, humbjen e besueshmërisë së publikut, uljen e mbështetjes publike por edhe sanksione formale. Prandaj është e rëndësishme që ata të sillen në mënyrë të respektueshme dhe profesionale ndaj gazetarëve edhe në situata sfiduese”, thonë nga SHGM-ja duke përkujtuar se ky është shpërthimi i katërt negativ i një politikani ndaj gazetarëve gjatë periudhës së kaluar ndërsa tre të parat ishin të Dimitar Kovaçevskit, Ali Ahmetit dhe rasti i djeshëm në Ministrinë e Arsimit i këshilltarit të ministrit Jeton Shaqiri.

“Është koha që zyrtarët të kuptojnë seriozitetin e pozitës së tyre para opinionit dhe të ndalojnë sulmet verbale dhe insinuatat e drejtpërdrejta për qasjen profesionale ndaj punës së gazetarëve”, thuhet në reagimin e SHGM-së dhe Këshillit të Etikës, pranë kësaj shoqate.

Exit mobile version