Telegrafi

Shfyrtëzoi inteligjencën artificiale për të klonuar zërin e një vajze – nëna e saj besonte se vajza i ishte rrëmbyer në SHBA

Një nënë nga shteti amerikan i Arizonës, Jennifer DeStefano, mori një telefonatë nga një numër i panjohur dhe dëgjoi duke qarë vajzën e saj 15-vjeçare Brie. Mirëpo, nuk ishte vajza e saj, por një inteligjencë artificiale (AI) që ia imitonte zërin.

“Mami, u ngatërrova…”, tha zëri i vajzës në anën tjetër të telefonit para se zëri i mashkullit të fillonte të kërcënonte dhe të bënte kërkesa. Burri i tha nënës se i kishte rrëmbyer vajzën, shkruan independent.

Rrëmbyesi i supozuar mësohet t’i ketë thënë DeStefanos se nëse e thërret policinë, ai do ta drogonte vajzën dhe do ta linte diku në Meksikë.

DeStefano tha se mund të dëgjonte vajzën e saj në sfond duke qarë dhe duke bërtitur “më ndihmo mami”, transmeton Telegrafi.

“Ishte 100 për qind zëri i saj. Nuk kisha dyshim se nuk ishte zëri i vajzës sime. Dhe mënyra se si ajo po qante ishte e njëjtë. Ishte rrëqethëse…”, tha DeStefano.

Rrëmbyesi i rremë kërkoi një milion dollarë për lirimin e vajzës 15-vjeçare dhe më pas e uli shifrën në 50 mijë dollarë.

Por, DeStefano e kuptoi se vajza ishte e sigurt vetëm pasi një mik i familjes telefonoi burrin e saj për t’i konfirmuar se të bijën e kishte në vend të sigurt.

Mashtruesi, i cili është ende duke u hetuar nga policia, duket se ka përdorur teknologjinë e klonimit të zërit të inteligjencës artificiale, e cila është bërë gjithnjë e më e aftë për të imituar zërat e njerëzve vitet e fundit.

Gjithashtu, kjo teknologji është e lehtë për t’u përdorur sepse mjetet e AI janë të disponueshme lirisht në internet. Zërat e gjeneruar nga AI janë përdorur tashmë në filma për të kopjuar zërat e aktorëve si James Earl Jones, i cili shprehu karakterin origjinal të Darth Vader në Star Wars.

Teknologjia gjithashtu ka nxitur frikën se mund të keqpërdoret nga mashtruesit ose njerëzit që përpiqen të krijojnë video të rreme. /Telegrafi/